Golden Steit ka fituar një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj LA Leikërs me rezultatin 109-103 duke kthyer këta të fundit përsëri në një zonë mjaft delikate në renditjen e Konferencës së Perëndimit, pasi tani rrezikojnë pjesëmarrjen në playoff. Kjo ishte humbja e tretë radhazi për kalifornianët që kanë vetëm një ndeshje avantazh ndaj Utah duke u përpjekur të mbajnë pozicion e 8-të në renditje.
Në radhët e Golden Steit shkëlqeu i zakonshmi Stefen Karri me 25 pikë, 7 topa në tabelë dhe 10 pasime, edhe pse deri në minutat e fundit ishte në dyshim aktivizimi i tij për shkak të ndrydhjes së kyçit të këmbës. Kjo paraqitje la në hije atë të Kobi Brajant i cili me 36 pikë e 8 topa në tabelë po kthehet në nivelin që po shfaqej para dëmtimit të dy javëve më parë.
Ndërkohë, vazhdon marshimi i pandalshëm i Majemit që ka kthyer ndeshjen në fushën e Orlandos në një stërvitje, duke mos u dhënë kurrë mundësinë vendasve të rrezikonin serinë e 27 fitoreve radhazi të kampionëve në fuqi të NBA. Suksesi 108-94 erdhi falë paraqitjes së shkëlqyer të radhës për LeBron Xhejms, i cili realizoi 24 pikë, 9 topa në tabelë e 11 pasime.
Domethënëse është edhe fitorja e Uashington përballë Memfis me rezultatin 107-94, ku duhet theksuar se organizatori i vendasve, Xhon Uoll, realizoi 47 pikë, 7 topa në tabelë dhe 8 pasime. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atlanta-Indiana 94-100
Memfis-Uashington 94-107
Mejemi-Orlando 108-94
Denver-Nju Orlins 86-110
Filadelfia-Utah 91-107
LA Leikërs-Golden Steit 103-109
Tuesday, 26 March 2013 08:46