Majemi vazhdon serinë e jashtëzakonshme të fitoreve radhazi, pasi ka regjistruar të 25-tën rresht me suksesin 103-89 ndaj Detroit. Edhe pse kundërshtari nuk ka qenë i një niveli të lartë, kampionët e NBA i kanë lejuar luksin vetes që të luanin qetësisht në pjesën e parë të takimit, për të treguar të gjithë potencialin e tyre në pjesën e dytë.
LeBron Xhejms ishte autor i një paraqitje të jashtëzakonshme për këdo tjetër përveç tij, që i ka kthyer shifra të tilla në normalitet. Ai regjistroi 29 pikë, 8 topa në tabelë dhe 8 pasime, duke ecur me një mesatare shumë të lartë realizimi prej 55.1% në këtë sezon. Majemi nuk ndjek vetëm rekordin e 33 fitoreve radhazi, por edhe vendin e parë në Konferencën e Lindjes, për të cilën i nevojiten vetëm 3 suksese për ta siguruar matematikisht.
Ndërkohë, LA Leikërs kanë pësuar një tjetër ndalesë, duke kthyer përsëri dyshimet rreth kualifikimit të tyre në playoff në këtë sezon. Ndonëse kalifornianët aktualisht mbajnë vendin e 8-të në Konferencën e Perëndimit, humbja 103-100 në shtëpinë e tyre përballë Uashington, i ka krijuar mundësinë Utah, Portland dhe Dallas të afrohen disi, duke i vënë në rrezik pozicionimin mes 8 më të mirëve në këtë Konferencë.
Rezultatet
Nju Jork-Toronto 99-94
Oklahoma-Orlando 97-89
Miluoki-Indiana 78-102
Detroit-Majemi 89-103
Portland-Atlanta 104-93
Kliveland-Hjuston 78-116
Memfis-Nju Orlins 83-90
Boston-Dallas 94-104
Utah-San Antonio 97-104
Minesota-Feniks 117-86
Uashington-LA Leikërs 103-100
Saturday, 23 March 2013 09:26