Denver është kthyer në një superfuqi në Konferencën e Perëndimit dhe këtë e ka vërtetuar me një sukses të papritur në fushën e pretendentëve për titull të Oklahomas, duke fituar me rezultatin 114-104.
Taj Louson dhuroi 25 pikë, Andre Miller shtoi 20 pikë, 9 pasime dhe 7 topa në tabelë, ndërsa Keneth Farid shtoi 13 pikë e 15 topa në tabelë, duke i dhënë Denver suksesin e 13-të radhazi, seria pozitive më e gjatë në historinë e këtij klubi që në momentin kur iu bashkua NBA. Tashmë Denver është vetëm 1 ndeshje larg vendit të katërt në renditjen e Konferencës së Perëndimit, që do t’i garantonte avantazhin e fushës të paktën në raundin e parë të playoff.
Ndërkohë, Oklahoma mbetet në ndjekje të San Antonios për kryesimin në Perëndim dhe humbja me Denver mbetet vetëm një “rrëshqitje” e momentit. Nënkampionët e sezonit të kaluar në NBA po mundohen ende të gjejnë një mënyrë për të hequr pak trysni nga shpatullat e Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk që nga largimi i Xhejms Harden, edhe pse dy lojtarët vazhdojnë të shkëlqejnë si në këtë ndeshje të fundit ku shënuan respektivisht 34 dhe 25 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Orlando-Indiana 73-95
Portland-Miluoki 95-102
Denver-Oklahoma 114-104
LA Klipërs-Sakramento 101-116
Wednesday, 20 March 2013 09:56