Mungesa e radhës për dëmtim e Karmelo Entoni si dhe lajmi se Amari Studemair do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni në gju, nuk ka penguar skuadrën e Nju Jorkut të marrë një fitore të rëndësishme 113-84 përballë Utah për të mbrojtur vendin e dytë në Konferencën e Lindjes në NBA.
J. R. Smith ishte protagonisti kryesor i këtij suksesi me 24 pikë të shënuara, ndërsa Stiv Novak shtoi 20 të tjera. Të dy lojtarët janë zëvendësues në radhët e Nju Jork por dëmtimet e shumta të yjeve të skuadrës kanë bërë që ata të kthehen në elementë shumë të rëndësishëm për skemat e Majk Udson.
Në luftën për vendin e dytë në Konferencën e Lindjes është edhe Bruklin, që ka mundur me rezultatin 93-80 skuadrën e Atlantas, një prej ekipeve që ka thuajse të sigurt pjesëmarrjen në play-off në këtë sezon. Bruk Lopez dhe Endriu Blatçi shënuan nga 18 pikë, ndërsa Deron Uilliams shtoi 17 pikë vetëm një natë pasi theu rekordin e NBA me 9 gjuajtje për 3 pikë në gjysmën e ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Bruklin-Atlanta 93-80
Utah-Nju Jork 84-113
Nju Orlins-Memfis 85-96
Sharlot-Uashington 87-104
Minesota-Denver 88-111
Hjuston-Feniks 105-107
Miluoki-Golden Steit 103-93
Sunday, 10 March 2013 12:07