Mungesa e Karmelo Entoni, që vazhdon të jetë jashtë për një dëmtim në gju, ka ndihmuar Oklahoman të marrë një fitore të rëndësishme 95-94 në fushën e Nju Jork, për të vazhduar në ndjekjen e San Antonio që vazhdon të kryesojë Konferencën e Perëndimit.
Ndonëse J. R. Smith zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme për Nju Jorkun, me 36 pikë të shënuara, ai nuk arriti të tregohej vendimtar në sekondat e fundit, ashtu siç është Entoni, ndërsa humbi gjuajtjen që mund t’i kishte dhënë suksesin skuadrës së tij. Nga ana tjetër, Kevin Durant realizoi 34 pikë, 8 topa në tabelë dhe 6 pasime, por nëse Nju Jork ishte në garë deri në sekondat e fundit të sfidës ishte pak edhe faji i tij, pasi gaboi shumë në këtë ndeshje, duke realizuar vetëm 9 nga 20 tentativat e tij dhe duke humbur 7 herë topin.
Tani Oklahoma duket e qetë të paktën përsa i përket vendit të dytë në Konferencën e Perëndimit, pasi ka arritur të shkëputet nga LA Klipërs, të cilët janë mundur 107-92 në fushën e Denver. Për vendasit shkëlqyen Taj Louson me 21 pikë dhe Danilo Galinari me 20, duke i dhënë këtij ekipi fitoren e 7-të radhazi në kampionat dhe mundësinë për t’iu afruar më shumë ekipeve që kanë para në renditjen e Konferencës ku aktualisht mbajnë vendin e pestë. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 March 2013 09:43