Kthimi nga dëmtimet i Kris Pol, Bleik Grifin dhe Shonsi Billaps nuk ka rezultuar me fat për LA Klipërs që janë mundur në Majemi me rezultatin 111-89. Në një ndeshje pa shumë histori ka shkëlqyer i zakonshmi LeBron Xhejms, me një tjetër paraqitje mbresëlënëse.
Ylli i Majemit shënoi 30 pikë, me një përqindje saktësie të pabesueshme prej 9 gjuajtjesh nga 11 tentativa, ndërsa qëndroi pushim gjatë të gjithë periodës së katërt pasi arriti të shtynte ekipin e tij drejt një avantazhi mëse të ndjeshëm. Ndërsa treshja e rikthyer e kalifornianëve së bashku kombinoi për vetëm 23 pikë, duke treguar se është ende shumë larg formës optimale dhe do të duhet pak kohë për t’u kthyer në nivelet e fillimit të sezonit ku kjo skuadër ishte pretendente kryesore për titull.
Në ndeshjet e tjera bie në sy humbja e papritur e San Antonio në fushën e Detroit me rezultatin 119-109, duke i dhënë fund serisë prej 11 fitoresh radhazi të teksanëve që kryesojnë aktualisht Konferencën e Perëndimit. Për Detroit shkëlqeu Greg Monro me 26 pikë e16 topa në tabelë, duke përfituar nga mungesa e rëndësishme e Tim Dankan dhe Manu Xhonobili në radhët e San Antonios, që tashmë i ka besuar fazën ofensive krejtësisht francezit Toni Parker, autor i 31 pikëve. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
LA Leikërs-Sharlot 100-93
Toronto-Indiana 100-98
Bruklin-Uashington 74-89
Orlando-Kliveland 108-119
Nju Orlins-Atlanta 111-100
San Antonio-Detroit 109-119
Feniks-Oklahoma 96-127
Portland-Hjuston 103-118
Golden Steit-Memfis 93-99
LA Klipërs-Majemi 89-111
Nju Jork-Minesota 100-94
Çikago-Utah 93-89
Saturday, 09 February 2013 10:04