Majemit i është dashur të djersijë shumë për të mundur ekipin më në formë të NBA në fazën ofensive, Hjuston, që deri para natës së mbrëmshme regjistronte një mesatare të pabesueshme prej 118.5 pikësh në 6 ndeshjet e fundit. Por kampionët e NBA kanë arritur t’i mbajnë nën kuotën e tyre “normale” pasi i kanë mundur me rezultatin 114-108.
Ndonëse Le Bron Xhejms (32) dhe Duejn Uejd (31) së bashkë shënuan 63 pikë, fitorja u vendos në fazën mbrojtëse, me tre aksione në periodën e fundit. Mario Çallmers dhe Udonis Haslem detyruan kundërshtarët të bënin faull në sulm, ndërsa Uejd bllokoi gjuajtjen për 3 pikë të Harden që mund të kishte barazuar përkohësisht takimin. Harden, një nga pikëshënuesit më të mirë të këtij sezoni, arriti gjithsesi ta mbyllte ndeshjen me 36 pikë, ndërsa të 5 titullarët e Hjuston shënuan 10 a më shumë pikë.
Rezultati i papritur i natës së mbrëmshme është humbja e Nju Jork në fushën e Uashington me rezultatin 106-96, pavarësisht paraqitjes të mirë të Karmelo Entoni me 31 pikë e 9 topa në tabelë. Uashington, ndonëse ka regjistruar vetëm 13 fitore në këtë edicion, 5 prej tyre i ka nga skuadrave që kryesojnë divizione të ndryshme, si për të treguar se potenciali për të bërë më mirë ekziston, por thjesht mungon qëndrueshmëria në rezultate. Diferencën në këtë sfidë e bëri perioda e katërt, ku Uashington arriti të shkatërronte mbrojtjen e Nju Jork për të shënuar 36 pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston-Toronto 99-95
Indiana-Filadelfia 88-69
Nju Jork-Uashington 96-106
LA Klipërs-Orlando 86-76
Sharlot-Kliveland 95-122
Hjuston-Majemi 108-114
Bruklin-Detroit 93-90
Memfis-Atlanta 92-103
Feniks-Nju Orlins 84-93
Golden Steit-Oklahoma 98-119
Portland-Dallas 99-105
Miluoki-Utah 86-100
San Antonio-Minesota 104-94
Thursday, 07 February 2013 09:38