Indiana ka treguar se është një nga skuadrat që mund të rivalizojë denjësisht për titullin kampion në Konferencën e Lindjes, pasi ka arritur të mundë për herë të dytë në këtë sezon kampionët në fuqi të Majemit.
Skuadrat janë ndeshur edhe vjet në gjysmëfinalen e Konferencës së Lindjes, me Indianën që shtyu Majemin në limite, ndërsa në këtë sezon duket se ka gjetur mënyrën se si të mposhtë kampionët. Nëse në ndeshjen e parë triumfoi 87-77 falë një mbrojtje të jashtëzakonshme, mbrëmë Indiana fitoi 102-89 falë fazës ofensive me David Uest që shënoi 30 pikë dhe Pol Xhorxh që shtoi 15 pikë të tjera. Paraqitja e zakonshme e LeBron Xhejms me 28 pikë e 6 topa në tabelë nuk mjaftoi për të siguruar një fitore për Majemin, që do t’i garantonte kreun e Konferencës deri në pushimin por ndeshjen “All Star”.
Një natë shumë negative ka qenë edhe për LA Klipërs që janë mundur në fushën e Torontos me rezultatin 98-73, duke regjistruar paraqitjen më të keqe ofensive të sezonit falë edhe mungesës së Kris Pol i cili mbetet jashtë për shkak të dëmtimit në gju. Për Toronton, debutoi me sukses blerja e re, Tajson Gej, i cili shënoi 20 pikë në këtë sfidë, duke ngjallur shpresat te ekipi kanadez që ëndërron të kthehet në playoff dhe shpreson që këtë sezon të ketë ndërtuar një ekip që mund ta arrijë një objektiv të tillë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
LA Klipërs-Toronto 73-98
Majemi-Indiana 89-102
Kliveland-Detroit 99-117
Miluoki-Nju Jork 86-96
Sakramento-Filadelfia 80-89
Çikago-Bruklin 89-93
Orlando-Boston 84-97
Uashington-Memfis 76-85
Dallas-Feniks 109-99
Portland-Utah 77-86
Nju Orlins-Denver 98-113
LA Leikërs-Minesota 111-100
Saturday, 02 February 2013 10:25