Duejn Uejd ka filluar të tregojë shenja “kthese” në atë që deri tani ka qenë sezoni i tij më i dobët statistikor në NBA. Veterani i Majemit, kohët e fundit kishte lënë gjithçka në dorën e mikut të tij LeBron Xhejms, por duke parë se MVP i sezonit të kaluar po shfaqte vështirësi të mbante peshën e të gjithë skuadrës, është kthyer të tregojë vlerat e tij në lojën ofensive.
Pas 35 pikëve të shënuara kundër Torontos të mërkurën, Uejd dhuroi një tjetër paraqitje të mirë ofensive me 29 pikë, 5 topa në tabelë dhe 7 pasime ndaj Detroit në suksesin e mbrëmshëm 110-88, ku Majemi regjistroi fitoren e katërt radhazi.
Loja e skuadrës ka bërë që LA Leikërs t’i japë fund serisë negative prej katër humbjesh radhazi me një sukses 102-84 kundër Utah. Duajt Hauard shënoi 17 pikë e 13 topa në tabelë, Stiv Nesh dhe Pau Gasol shënuan nga 15 pikë, ndërsa Kobi Brajant dha një paraqitje të plotë me 14 pikë, 14 pasime dhe 9 topa në tabelë, duke marrë më shumë një rol organizatori sesa të një shënuesi të mirëfilltë, edhe pse mbetet një nga finalizuesit më të mirë në historinë e NBA. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Minesota-Uashington 101-114
Boston-Atlanta 111-123
Miluoki-Kliveland 108-113
Detroit-Majemi 88-110
San Antonio-Dallas 113-107
Hjuston-Nju Orlins 100-82
Bruklin-Memfis 77-101
Golden Steit-Çikago 87-103
Oklahoma-Sakramento 105-95
Utah-LA Leikërs 84-102
Saturday, 26 January 2013 09:32