Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk kanë kombinuar për të shënuar 73 pikë së bashku, por Oklahoma nuk ka arritur të fitojë përballë Denver, duke u dorëzuar me rezultatin 121-118, pas një kohe shtesë.
Në një ndeshje spektakolare mes kryesuesve të Konferencës së Perëndimit dhe një prej skuadrave që pretendon të bëjë një paraqitje dinjitoze në playoff, gjithçka është zgjidhur pas kohës shtesë, pas një loje ekipore të shkëlqyer të Denver. Ekipi i drejtuar nga Xhorxh Karl përfundoi takimin me 7 lojtarë që shënuan 10 a më shumë pikë dhe 2 të tjerë që shënuan më shumë se 8 pikë në këtë ndeshje. Nga ana tjetër, te Oklahoma ra në sy vetëm loja e Kevin Durant (37 pikë, 7 topa në tabelë, 8 pasime) si dhe e Rasëll Uestbruk (36 pikë, 8 topa në tabelë, 9 pasime), ndërsa pjesa tjetër e skuadrës kontribuoi shumë pak në fazën ofensive.
Në natën e mbrëmshme edhe LA Leikërs kanë regjistruar një humbje tjetër, duke u mundur në fushën e Torontos me rezultatin 108-103. Hose Kalderon ishte protagonisti për skuadrën kanadeze me 22 pikë e 9 pasime, ndërsa Kobi Brajant u kufizua në vetëm 26 pikë të shënuara për kalifornianët ku Duajt Hauard luajti më pak se gjysmën e ndeshjes pasi u përjashtua për dy faulle teknik. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
LA Leikërs-Toronto 103-108
Dallas-Orlando 111-105
Boston-Detroit 88-103
Oklahoma-Denver 118-121
Monday, 21 January 2013 09:45