Majemi po shfaq shumë vështirësi në këtë sezon, duke dhënë shumë pak paraqitje domethënëse si ato të sezonit të kaluar që i dhanë titullin kampion. Ndonëse kampionët në fuqi vazhdojnë të jenë në kreun e renditjes së Konferencës së Lindjes, kjo ka ardhur për shkak se në këtë Konferencë nuk ka shumë kundërshtarë në nivelin e tyre.
Kampionët kanë regjistruar mbrëmë humbjen e radhës në fushën e Utah, duke u dorëzuar me rezultatin 104-97 përballë vendasve. Ndonëse LeBron Xhejms ka dhënë një provë të mirë me 32 pikë, 4 topa në tabelë dhe 6 pasime, atij i ka munguar ndihma e shokëve të skuadrës, sidomos e Duejn Uejd i cili në këtë sezon është shumë larg statistikave të tij të zakonshme dhe mbrëmë u kufizua vetëm me 11 pikë. Për vendasit, Al Xheferson shënoi 23 pikë e 11 topa në tabelë, ndërsa Gordon Heiuard shtoi 22 pikë duke luajtur si zëvendësues.
Në Konferencën e Perëndimit, LA Klipërs kanë marrë një sukses shumë të rëndësishëm 99-73 në fushën e Memfis ndonëse kanë lënë pushim organizatorin Kris Pol. Xhamal Krouford dhe Met Barns ishin protagonistët e ndeshjes me nga 16 pikë të shënuara duke luajtur si zëvendësues, ndërsa për vendasit, Zak Rendolf shënoi 15 pikë e 12 topa në tabelë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Orlando-Uashington 91-120
Sharlot-Boston 89-100
Atlanta-Çikago 58-97
LA Klipërs-Memfis 99-73
Minesota-Dallas 98-113
Majemi-Utah 97-104
Oklahoma-Portland 102-90
Kliveland-Sakramento 118-124
Tuesday, 15 January 2013 09:29