Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk kanë vërtetuar se LA Leikërs aktualisht nuk janë në gjendje të përballen me skuadrat më të mira të NBA. Të dy lojtarët e Oklahomas kanë kombinuar së bashku 69 pikë, 15 topa në tabelë dhe 15 pasime, për të siguruar fitoren 116-101 në fushën kundërshtare.
Kevin Durant ishte protagonisti absolut i ndeshjes në fazën ofensive, me 42 pikë të shënuara dhe është kryesisht meritë e tij që Oklahoma siguroi një avantazh prej 27 pikësh në pjesën e dytë të ndeshjes, duke e administruar më pas qetësisht atë. Nga ana tjetër, Kobi Brajant doli përsëri i mundur në sfidën direkte me atë që e ka zëvendësuar si pikëshënuesi më i mirë i NBA në sezonet e fundit, pasi ylli i kalifornianëve realizoi vetëm 28 pikë në këtë ndeshje.
Një tjetër rezultat interesant i natës së mbrëmshme ishte fitorja e papritur e Çikagos në fushën e Nju Jork me rezultatin 108-101. Ndonëse Karmelo Entoni u kthye nga pezullimi dhe shënoi 39 pikë e 8 topa në tabelë, ai nuk mundi të ndihmonte skuadrën e tij që realizoi humbjen e tretë radhazi ndaj Çikagos në këtë sezon dhe të tretën radhazi në kampionat. Protagonisti kryesor për Çikagon, ashtu si në takimet e mëparshme të këtij sezoni mes dy skuadrave, ishte Luol Deng, autor i 33 pikëve dhe sidomos “hija” e Entoni, duke detyruar këtë të fundit të tentonte edhe gjuajtje të pamundura, arsyeja pse ylli i Majemit realizoi vetëm 14 nga 32 tentativat nga fusha. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Sharlot-Toronto 78-99
Hjuston-Boston 91-103
Feniks-Bruklin 79-99
Utah-Atlanta 95-103
Minesota-Nju Orlins 92-104
Çikago-Nju Jork 108-101
San Antonio-Memfis 98-101
Detroit-Miluoki 103-87
Kliveland-Denver 91-98
Portland-Golden Steit 97-103
Oklahoma-LA Leikërs 116-101
Saturday, 12 January 2013 09:37