Lotar Mateus ka deklaruar se është i çuditur nga përbërja e formacionit të vitit, të shpallur dje nga FIFA pas votimit të anëtarëve të FIFPro, sidomos për faktin se të gjithë lojtarët ishin zgjedhur nga kampionati spanjoll.
Futbollistë si Zherard Pike dhe Dani Alvesh, u përfshinë në skuadër edhe pse në vitin 2012 ata janë kritikuar shpesh për paraqitjet e tyre me Barcelonën. Ndërkohë, u lanë jashtë lojtarë si Andrea Pirlo e Mats Humels, të cilët kanë qenë vendimtarë si me klubet, ashtu edhe me kombëtaren gjatë vitit që sapo u mbyll.
“Nuk e kuptoj se si formacioni e vitit mund të përbëhet vetëm nga lojtarë që luajnë në kampionatin spanjoll. Në rreshtat e parë në sallë, kur u publikuan emrat, kishte shumë njerëz që tundin kokën në shenjë pakënaqësie”, tha Mateus.
Por ish-lojtari i Bajern Mynih, Inter dhe Gjermanisë, bëri të qartë se mendonte që “Topi i Artë” ishte plotësisht i merituar për Lionel Mesin.
“Suksesi i Mesit është krejtësisht i merituar, për këtë nuk kam dyshime”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 January 2013 16:26