LA Leikërs kanë rifilluar të shfaqin vështirësi dhe të tregojnë se nuk janë ende një skuadër, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që kanë në përbërjen e tyre. Humbja e dytë brenda 12 ditëve përballë Denver, e treta radhazi për kalifornianët në kampionat, e vërtetoi më së miri një gjë të tillë.
Kobi Brajant shënoi 29 pikë, ndërsa Duajt Hauard regjistroi 14 pikë dhe barazoi rekordin e karrierës së tij me 26 topa në tabelë. Por as këto paraqitje të jashtëzakonshme nuk i mjaftuan përsëri LA Leikërs që u dorëzuan në fushën e tyre me rezultatin 112-105. Taj Louson shënoi 21 pikë e 10 pasime, ndërsa Danilo Galinari regjistroi 20 pikë, mes të cilëve një gjuajtje për 3 pikë kur mbeteshin vetëm 14 sekonda lojë, për të marrë një sukses të rëndësishëm në transfertë që përmirëson pozitat në Konferencën e Perëndimit.
Ndërkohë, Majemi tregoi se pse cilësohet një nga skuadrat më të mira jo vetëm në fazën ofensive, por edhe në atë mbrojtëse, duke fituar 99-71 përballë Uashington. Ndonëse miqtë janë ekipi më i dobët i Konferencës së Lindjes, përsëri është e frikshme statistika e kampionëve të NBA që shënuan 21 pikë radhazi në fundin e ndeshjes, ndërsa nuk lejuan që koshi i tyre të prekej në 7 minutat e fundit të takimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Oklahoma-Toronto 104-92
Uashington-Majemi 71-99
Sharlot-Detroit 108-101
Memfis-Feniks 92-81
Denver-LA Leikërs 112-105
Monday, 07 January 2013 09:00