Kthimi i Duejn Uejd në formacion nuk i ka evituar Majemit humbjen e dytë radhazi, me kampionët që këtë radhë janë mundur në fushën e Miluokit, një prej ekipeve surprizë të këtij sezoni. Organizatori i kampionëve në fuqi të NBA kishte munguar në takimin e humbur një ditë më parë në fushën e Detroit për shkak të një pezullimi.
Ndonëse ai shënoi 24 pikë në kthimin e tij dhe LeBron Xhejms shtoi 26 pikë, 6 topa në tabelë dhe 7 pasime, Majemi nuk arriti të kalonte vendasit, ku shkëlqeu Brendon Xhenings me 25 pikë e 7 pasime. Shumë i rëndësishëm ishte edhe kontributi i Majk Dunlevi, i cili regjistroi 18 pikë, 9 topa në tabelë dhe 6 pasime duke luajtur si zëvendësues në fitoren 104-85.
Një skuadër që tashmë renditet mes pretendentëve në Konferencën e Perëndimit është Golden Steit, që në këtë sezon ka bërë hapin cilësor duke regjistruar suksese të rëndësishme edhe me ekipet e mëdha, si fitorja e 101-83 e mbrëmshme përballë Boston. Ylli i vendasve ishte organizatori Stefan Kerri, i cili shënoi 22 pikë e 9 pasime, duke përfituar maksimalisht nga mungesa e Razhan Rondo në radhët e Boston. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Orlins-Sharlot 98-95
Toronto-Orlando 123-88
Indiana-Atlanta 100-109
Kliveland-Bruklin 100-103
Oklahoma-Hjuston 124-94
Uashington-Çikago 77-87
Feniks-Minesota 107-111
Denver-Memfis 72-81
Majemi-Miluoki 85-104
Filadelfia-Portland 85-89
Boston-Golden Steit 83-101
Sunday, 30 December 2012 09:18