Majemi ka treguar se nuk ka humbur shkëlqimin e sezonit të kaluar, thjesht ka nevojë që të ketë përballë ekipe të mëdha në mënyrë që të rishfaqë maksimumin e yjeve të saj.
LeBron Xhejms shënoi 29 pikë, 8 topa në tabelë dhe 9 pasime, duke udhëhequr skuadrën e tij në fitoren 103-97 ndaj Oklahomas, në atë që ishte përsëritja e finales së sezonit të kaluar. Ndonëse Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk, së bashku shënuan 54 pikë, ata nuk arritën të ndalnin Majemin që shfaqi edhe një herë lojën spektakolare që i dha titullin kampion në edicionin e kaluar.
Në një tjetër ndeshje të madhe të luajtur në natën e Krishtlindjeve, LA Leikërs kanë mundur Nju Jork me rezultatin 100-94. Kobi Brajant shënoi 34 pikë e 5 topa në tabelë, ndërsa më në fund doli në skenë edhe kontributi i dy blerjeve të mëdha të këtij sezoni, Duajt Hauard (14 pikë, 12 topa në tabelë) dhe Stiv Nesh (16 pikë, 11 pasime), të cilët ishin të shkëlqyer si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm me veprimet e tyre. Nju Jorkut nuk i mjaftoi prova e mirë e radhës se Karmelo Entoni, i cili realizoi 34 pikë e 7 topa në tabelë, pasi dukej qartë se vetëm ai nuk përballonte dot ofensivën e shumëfishtë të LA Leikërs. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston-Bruklin 93-76
Nju Jork-LA Leikërs 94-100
Oklahoma-Majemi 97-103
Hjuston-Çikago 120-97
Denver-LA Klipërs 100-112
Wednesday, 26 December 2012 12:25