Oklahoma ka çuar në 12 fitore radhazi bilancin e saj në këtë pikë të sezonit, duke përmirësuar rekordin më të mirë që mban aktualisht në NBA me 21 fitore e 4 humbje, falë suksesit 100-92 në fushën e Atlanta.
Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk ishin të pandalshëm në këtë sfidë, duke dominuar ndaj skuadrës vendase me gjuajtje të pabesueshme. Durant ishte autor i 41 pikëve, 28 nga të cilat u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi në pjesën e parë shkëlqeu Uestbruk me 21 nga 27 pikët që realizoi në këtë sfidë.
Finalistët e sezonit të kaluar në NBA ndiqen hap pas hapi nga LA Klipërs, të cilët kanë mundur me rezultatin 93-77 ekipin e Nju Orlins për të regjistruar fitoren e 11-të radhazi dhe barazuar rekordin e vendosur nga kjo skuadër në sezonin 1974-1975. Bleik Grifin shënoi 18 pikë, ndërsa Kris Pol shtoi 10 pikë e 12 pasime në këtë sfidë ku diferenca mes dy skuadrave ishte e ndjeshme.
Një sfidë shumë interesante ishte ajo mes Nju Jork dhe Bruklin, e fituar nga kryesuesit e Konferencës së Lindjes me rezultatin 100-86. Karmelo Entoni u kthye në formacionin titullar pas disa ndeshjesh pushim për shkak të dëmtimit dhe tregoi menjëherë se nuk kishte humbur saktësinë para koshit duke shënuar 31 pikë në këtë sfidë që tashmë është kthyer në një klasike të Konferencës së Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Uashington-Orlando 83-90
Detroit-Toronto 91-97
Utah-Indiana 84-104
Bruklin-Nju Jork 86-100
Kliveland-Boston 91-103
Oklahoma-Atlanta 100-92
Filadelfia-Hjuston 103-125
Sharlot-Feniks 104-121
Miluoki-Memfis 80-90
Golden Steit-Sakramento 127-131
Nju Orlins-LA Klipërs 77-93
Thursday, 20 December 2012 11:32