Një ndeshje e planifikuar në kalendar si mes dy pretendentëve për titull përfundoi me një fitore të Oklahomas që kryesoi qetësisht takimin nga fillimi deri në fund, ndonëse LA Leikërs u munduan të vinin në diskutim rezultatin në minutat e fundit.
Oklahoma fitoi 114-108 përballë LA Leikërs të përgjysmuar nga dëmtimet, pasi kalifornianëve u mungonin 3 lojtarë kryesorë si Nesh, Gasol dhe Bleik. Si rrjedhojë, në fushën e lojës shkëlqyen Kevin Durant (36 pikë, 9 topa në tabelë) dhe Rasëll Uestbruk (33 pikë, 8 pasime). Nga ana tjetër, Kobi Brajant me 35 pikë të shënuara u mundua të ringjallte ekipin e tij në periodën e katërt, kur avantazhi i vendasve u ngushtua deri në 4 pikë, por nuk ia doli mbanë, pasi e vetmja ndihmë që kishte në këtë sfidë ishte Duajt Hauard, autor i 23 pikëve e 18 topa në tabelë.
Në rezultatet e tjera interesante të natës së mbrëmshme, bie në sy fitorja e Golden Steit ndaj Bruklin, një prej ekipeve pretendente në Konferencën e Lindjes. Ndërkohë, vazhdojnë qetësisht të fitojnë pa ndërprerje dy kryesuesit e Konferencës së Perëndimit, San Antonioo dhe Memfis që duket se janë favoritet kryesorë edhe për rekordin më të mirë në NBA në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Boston-Filadelfia 94-95
Denver-Indiana 92-89
Çikago-Detroit 108-104
Golden Steit-Bruklin 109-102
Uashington-Atlanta 95-104
Memfis-Nju Orlins 96-89
Kliveland-Minesota 73-91
Hjuston-San Antonio 92-114
Sharlot-Miluoki 93-108
Toronto-Utah 99-131
LA Leikërs-Oklahoma 108-114
Orlando-Sakramento 82-91
Saturday, 08 December 2012 09:06