Orlando ka arritur të fitojë në fushën e LA Leikërs me rezultatin 113-103, në një ndeshje ku protagonisti negativ i mbrëmjes për vendasit ishte pikërisht ish-lojtari i Orlandos, Duajt Hauard.
Qendra që u transferua te LA Leikërs para fillimit të sezonit, shënoi 21 pikë dhe 15 topa në tabelë kundër ish-skuadrës së tij, por nuk arrinte të shënonte gjuajtjet e lira pas faulleve që i shkaktonin me dashje lojtarët e Orlandos. Duke njohur mirë pasaktësinë e Hauard, miqtë shfrytëzuan këtë mundësi duke i shkaktuar faulle qendrës së LA Leikërs në periodën e fundit, ndërsa nga ana tjetër shënonin gjuajtje për 3 pikë të njëpasnjëshme, duke realizuar 40 pikë në periodën e fundit ku praktikisht kthyen ndeshjen. Për kalifornianët nuk mjaftuan as 34 pikët me 7 pasime të Kobi Brajant, i cili pa përsëri skuadrën e tij të humbasë në këtë fillim shumë të dobët të sezonit.
Një tjetër ndeshje interesante ka qenë ajo mes Nju Jork dhe Feniks, ku njujorkezët fituan me një diferencë prej 7 pikësh vetëm falë magjive të Karmelo Entoni. Ylli i kësaj skuadre shënoi 34 pikë, duke i siguruar Nju Jorkut fillimin më të mirë të sezonit në 20 vitet e fundit në fushën e tyre, ku kanë bilancin 7 fitore e asnjë humbje. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Feniks-Nju Jork 99-106
Orlando-LA Leikërs 113-103
Monday, 03 December 2012 09:05