Nju Jork ka rigjetur shkëlqimin e skuadrave të saj të basketbollit pasi si Nju Jork Kniks, ashtu edhe Bruklin Nets, po shfaqen mes pretendentëve të këtij fillimi sezoni, ndërsa sonte do të luajnë mes tyre ndeshjen e prapambetur për shkak të uraganit “Sendi”.
Nju Jork mbrëmë fitoi ndeshjen e 5-të radhazi në shtëpi, duke mundur Detroit me rezultatin e thellë 121-100. Karmelo Entoni ishte autor i një prove mjaft të mirë me 29 pikë, i ndihmuar nga Smith që realizoi 15 pikë e 10 topa në tabelë.
Edhe skuadra tjetër e këtij qyteti, Bruklin, që u transferua nga Nju Xhersi në këtë sezon, gjendet në majat më të larta pasi ka lënë pas vitet e fundit problematikë që e zhytën në fundin e klasifikimit. Në ndeshjen e mbrëmshme, kjo skuadër fitoi 98-85 përballë Portland, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon, pas suksesit ndaj një tjetër pretendenti, LA Klipërs një natë më parë. Deron Uillimas është gjithnjë e më shumë lideri i kësaj skuadre, ndërsa në takimin e mbrëmshëm realizoi 15 pikë, 12 pasime, 4 bllokime dhe 3 vjedhje. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
San Antonio-Toronto 111-106
Detroit-Nju Jork 100-121
Portland-Bruklin 85-98
Boston-Orlando 116-110
Feniks-Filadelfia 101-104
Nju Orlins-Denver 84-102
Monday, 26 November 2012 09:50