Ish-mbrojtësi brazilian i Real Madrid, Roberto Karlos, mendon se Kristiano Ronaldo e meriton plotësisht të fitojë “Topin e Artë” në këtë sezon. Lionel Mesi ka arritur të fitojë këtë trofe 3 herë radhazi, me portugezin që doli dy herë i dyti, ndërsa në vitin 2010 nuk ishte mes 3 të parëve.
Por Roberto Karlos mendon se ka ardhur koha e Kristiano Ronaldos, pas sezonit të shkëlqyer 2011-2012 që ai zhvilloi.
“Qartësisht, të gjithë po flasin për Mesin, por mendoj se ai ka fituar mjaftueshëm dhe nuk besoj se i ka mbetur edhe shumë hapësirë në rastin e trofeve në shtëpi”.
“Ndaj unë do të votoja për Kristiano Ronaldon. Ai është një person që mund të të fitojë ndeshjet në mënyra të ndryshme, duke krijuar mundësi të ndryshme sulmi. Ai e meriton ta fitojë përsëri këtë trofe individual”.
Sipas brazilianit, edhe Zhoze Murinjo e meriton të shpallet “Trajneri i Vitit” nga FIFA.
“Duke parë se Pep Guardiola u largua nga Barcelona, mendoj se trofeu duhet t’i shkojë Zhoze Murinjos. Menaxhimi i një klubi është më i vështirë se menaxhimi i një ekipi kombëtar. Gjatë kohës te Real Madrid jam drejtuar nga Fabio Kapelo që ka bërë një punë të shkëlqyer. Por kur sheh rezultatet e Murinjos, e sheh edhe se trajnimi i tij ka të bëjë shumë dhe ai e di realisht se si të përballojë situatat me të cilat ndeshet”, tha Roberto Karlos. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 17:25