LA Klipërs i kanë treguar Majemit se nëse nuk kthehet përsëri shumë shpejt në formën e sezonit të kaluar, do ta kenë të vështirë të mbrojnë titullin kampion në NBA pasi skuadrat e tjera kanë bërë hapa para. Kalifornianët kanë fituar sfidën me kampionët me rezultatin 107-100, falë lojës së dyshes Kris Pol-Bleik Grifin.
Pol realizoi 16 pikë e 10 pasime, ndërsa Grifin ishte si zakonisht i pakapshëm në lojën në ajër, me 20 pikë e 14 topa në tabelë. Por një ndihmë e madhe iu shtua kalifornianëve dhe nga Xhamal Kroford, i cili shënoi 22 pikë në këtë takim duke luajtur si zëvendësues. Nga ana tjetër, LeBron Xhejms regjistroi 30 pikë, por i mungoi ndihma e Duejn Uejd që shënoi vetëm 6 pikë në këtë sfidë.
Një humbje e papritur ka qenë edhe ajo e Oklahoma përballë Memfis, edhe pse këta të fundit janë ekipi më në formë i NBA pasi kanë fituar ndeshjen e 6-të radhazi duke regjistruar fillimin më të mirë të sezonit në historinë e skuadrës. Ndonëse Kevin Durant shënoi 34 pikë e 10 topa në tabelë, ai nuk arriti të ndalte dyshen ofensive të Memfis, me Rudi Gei që realizoi 28 pikë, ndërsa Zak Randolf shtoi 20 pikë e 11 topa në tabelë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Detroit-Filadelfia 94-76
Utah-Boston 93-98
Memfis-Oklahoma 107-97
Indiana-Miluoki 85-99
Nju Orlins-Hjuston 96-100
Sharlot-Minesota 89-87
Uashington-Dallas 101-107
Çikago-Feniks 112-106
Atlanta-Golden Steit 88-92
Majemi-LA Klipërs 100-107
Thursday, 15 November 2012 09:13