Çikago dhe Boston vazhdojnë të jenë rivalët kryesorë të Majemit në Konferencën e Lindjes, dy skuadrat të cilat shpresohet se do të thyejnë disi diktatin që ka vënë ekipi i Floridas, për dy vite radhazi fitues i finales së kësaj Konference dhe tashmë kampion në fuqi i NBA.
Boston ka çuar në 3-3 bilancin e deritanishëm sezonal, falë fitores ndaj Miluoki në një pjesë të katërt ku iu desh një paraqitje e shkëlqyer e Kevin Garnet dhe Pol Pirs për të dalë nga situata. Skuadra me më shumë tituj të fituar në NBA po mundohet ende të gjejë sistemin e duhur për aktivizimin e Xhezon Terri, i cili nuk është shfaqur po aq efektiv sa rekordmeni i gjuajtjeve për tre pikë, Rei Allen, i larguar pikërisht drejt Majemit.
Të hënën, Boston do të luajë ndaj Çikagos, një tjetër skuadër që kë pësuar ndryshime të mëdha dhe po planifikon të kalojë të gjithë sezonin pa yllin e saj Derrik Rouz, për shkak të problemeve fizike të këtij të fundit. Çikago ka një bilanc mjaft të mirë me 4 fitore e 1 humbje në këtë fillim kampionati. Por ekipi i drejtuar nga Tom Tibodo nuk arrin ende të shfaqet në nivelet më të larta pasi ka ndërruar shumë lojtarë, me të rinjtë që mundohen të përshtaten me skemat e reja. Megjithatë, mbrëmë Çikago ka marrë një sukses shumë të rëndësishëm përballë Minesota me një lojë skuadre ku 5 lojtarë të ndryshëm shënuan 10 a më shumë pikë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Uashington-Indiana 85-89
Filadelfia-Toronto 93-83
Dallas-Sharlot 97-101
Detroit-Hjuston 82-96
Minesota-Çikago 80-87
Boston-Miluoki 96-92
Feniks-Utah 81-94
San Antonio-Portland 112-109
Denver-Golden Steit 107-101
Sunday, 11 November 2012 09:56