LA Leikërs janë zhytur në një krizë të thellë që po penalizon dukshëm kalifornianët në rrugën drejt titullit kampion, pasi kjo skuadër ka pësuar humbjen e katërt në 5 ndeshjet e para të sezonit.
Përballë Utah, LA Leikërs shfaqën përsëri problemet e ndeshjeve të para, ku dukej qartë se me Gasol e Hauard njëkohësisht në fushë, shpejtësia e manovrës së skuadrës bie ndjeshëm dhe ky ishte elementi nga i cili përfituan kundërshtarët, që regjistruan një fitore 95-86 në këtë sfidë. Ndonëse Brajant shënoi 29 pikë dhe Hauard 19 pikë me 9 topa në tabelë, ata nuk arritën të ndalnin shpejtësinë e sulmeve të Utah që shfrytëzoi më së miri edhe një stol më cilësor, autor i 36 pikëve përballë 12 të LA Leikërs.
Ndërkohë, LA Klipërs kanë arritur të ndalin ecurinë pozitive të San Antonio, duke mundur teksanët në ndeshjen e 5-të të sezonit dhe duke ndalur pathyeshmërinë e tyre falë suksesit 106-84. Bleik Grifin ishte protagonist me 22 pikë e 10 topa në tabelë, ndërsa ishin edhe 6 shokë të tjerë të skuadrës së tij që kaluan kuotën e 10 pikëve në këtë sfidë. Nga ana tjetër, Popoviç vazhdoi rotacionin e tij masiv, duke bërë që asnjë prej 13 lojtarëve të aktivizuar nga ai të mos kalonte kuotën e 12 pikëve në këtë ndeshje. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Feniks-Sharlot 117-110
Indiana-Atlanta 86-89
Bruklin-Majemi 73-103
Uashington-Boston 94-100
Orlando-Minesota 75-90
Memfis-Miluoki 108-90
Filadelfia-Nju Orlins 77-62
Denver-Hjuston 93-87
Toronto-Dallas 104-109
LA Leikërs-Utah 86-95
Detroit-Sakramento 103-105
San Antonio-LA Klipërs 84-106
Kliveland-Golden Steit 96-106
Thursday, 08 November 2012 08:59