Portieri i Real Madrid dhe Spanjës, Iker Kazijas, ka zbuluar se do të pëlqente të fitonte “Topin e Artë” një ditë, por nuk do të votonte kurrë për veten. Në ndryshim nga shoku i tij i skuadrës, Kristiano Ronaldo, që ka pranuar se është gati të vendosë emrin e tij mes fituesve, Kasijas mendon se vlerësime të tilla duhet të vijnë nga faktorë të jashtëm.
“Të jem i sinqertë, nuk do të votoja për veten. Unë preferoj që vlerësimi për punën time të vijë nga jashtë, jo nga unë”, deklaroi ai për “France Football”.
Kapiteni i Real Madrid është i ndërgjegjshëm që një lojtar që luan në pozicionin e tij mund të mos e fitojë asnjëherë një trofe të tillë.
“Pyes veten pse një lojtar aq vendimtar dhe që bie në sy si portieri nuk vlerësohet? Ne jemi si pilotët e Formula 1 që nuk nisen kurrë nga rreshti i parë, por nga vendi i 6-7, ndonëse janë pjesë e domosdoshme e skuadrës. Mendoj se lojtarët që luajnë në fushë janë thjesht më tërheqës”.
31 vjeçari ka konfirmuar edhe një herë se vota e tij do të jetë për Serxho Ramos, të cilin e vlerëson shumë.
“Vota ime do të shkojë për Serxho Ramos, pasi ai kishte sezonin më të kompletuar të 8 viteve të fundit”, shpjegoi Kasijas. “Ai është një qendërmbrojtës i jashtëzakonshëm. Ishte fantastik në kampionat dhe i frikshëm për kundërshtarët në Evropian”, tregoi portieri arsyen pse vota e kapitenit të Spanjës nuk do t’i shkonte Kristiano Ronaldos. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 November 2012 11:01