Lionel Mesi ka treguar se do të votojë për kandidaturat e dy prej shokëve të tij të skuadrës në garën për “Topin e Artë” në këtë sezon, duke pranuar se janë edhe disa lojtarë të Real Madrid që janë kandidatë seriozë për të fituar këtë trofe.
25 vjeçari është lojtari i katërt në histori që ka fituar 3 herë trofeun, por mendon se shumë shpejt do të kalojë një vit ku ai nuk do të jetë më fituesi i tij.
“A mendoj për “Topin e Artë”? Jo!”, u shpreh ai në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”. “Kur të vijë koha që nuk do të fitoj më trofeun, gjërat mund të jenë ndryshe. Unë kam qenë shumë me fat që e kam fituar atë tre herë, është diçka e madhe, e pabesueshme. Por do të vijë edhe viti kur unë nuk do ta fitoj më këtë trofe”.
Ai ka zbuluar edhe emrat e kandidatëve, duke filluar nga ato të cilët do t’i mbështetë me votën e tij si kapiten i kombëtares argjentinase.
“Nuk kam parë mirë listën e emrave. Por unë do të votoj për Ksavi, Andres (Iniesta) dhe me shumë mundësi një bashkëkombësin tim”, tha ai, duke pranuar se edhe në radhët e Real Madrid ka kandidatë shumë seriozë për të fituar trofeun.
“Mendoj se Kasijas mund të jetë fitues i “Topit të Artë”, pasi është një prej portierëve më të mirë në botë. Por gjithashtu edhe Kristiano Ronaldo mund të fitojë. Kur diçka ndodh, shtypi me shpejtësi kërkon të na krahasojë. Por ne jemi rivalë në fushën e lojës, asgjë më shumë. Tani kanë filluar të shohin edhe rreth jetës sonë për të na krahasuar dhe kjo gjë ka filluar të bëhet e lodhshme”, pranoi Mesi duke folur për rivalitetin me yllin portugez të madrilënëve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 11:01