Pak ditë para fillimit të sezonit të ri në NBA, LeBron Xhejms nuk ka fshehur ambiciet e tij për të vazhduar përmirësimin dhe rrugën e nisur me Majemin në fitoren e titujve kampionë, të gjitha me objektivin e vetëm për t’u kthyer në lojtarin më të mirë të të gjitha kohëve.
Sezoni i kaluar ishte i shkëlqyer për lojtarin që u shpall MVP i sezonit dhe i finales së NBA, ashtu si edhe mori titullin e shumëpritur kampion që e ndiqte prej 9 sezonesh, pa harruar edhe medaljen e dytë të artë olimpike.
“Unë dua të jem më i miri i të gjitha kohëve, kjo është e gjitha”, pranoi Xhejms në një intervistë të dhënë për “The Associated Press”, duke synuar një titull që për momentin e mban legjendari Majkëll Xhordan, i cili ka fituar 6 tituj kampion.
Por Xhejms e fillon sezonin si lojtari i 47-të në numrin e pikëve të shënuara në sezonin e rregullt në historinë e NBA, ndërsa mund të bëjë shumë hapa para në këtë renditje nëse paraqitet përsëri në nivelet e zakonshme. Ndër lojtarët aktivë, ai është i nënti me pikë të shënuara, por të 8 basketbollistët që e kalojnë për momentin, kanë plotësuar 14 sezone në NBA, ndërsa ai vetëm 9, arsye për të cilën shumëkush e sheh si një kandidat të mundshëm që në të ardhmen t’i vjedhë Xhordan titullin e më të mirit.
Pas Skoti Pipen dhe Çarls Barklei, dy nga miqtë më të ngushtë Majkëll Xhordan, “bekimi” për arritjen e këtij objektivi ka ardhur edhe nga ai që e bëri të famshëm skuadrën e Çikago Bulls, trajneri Fil Xhekson. “LeBron mund të luajë çdo pozicion në fushë. Tani që e njeh çfarë është shija e triumfit, nëse nuk dëmtohet, i ka të gjitha mundësitë të kalojë edhe Xhordan”, ishin fjalët e trajnerit që ka fituar 11 tituj në NBA. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 October 2012 15:55