Kejsi Stoner provoi për të disatën herë se në pistën e Filip Ajlend nuk ka pilot më të shpejtë se ai. Australiani i Hondas ka dominuar përsëri provat zyrtare duke marrë pole-position në “pistën e shtëpisë”, për të lënë me më shumë se gjysmë sekonde larg Horge Lorencon i cili u rendit i dyti.
Dominimi i Stoner ishte aq i ndjeshëm sa rivali në luftën për titull, Dani Pedrosa, ka mbetur rreth 1 sekondë larg, ndonëse ishte piloti i tretë më i shpejtë në pistë dhe garon me të njëjtin motor me australianin.
Gjithçka bëhet edhe më domethënëse kur mendon se Stoner i ka arritur kohët e tij fantastike edhe pse shkatërroi motorin e parë gjatë një rënie dhe mbylli provat me motorin rezervë.
Stoner fiton në këtë pistë pa ndërprerje që nga viti 2007 dhe në garën e nesërme, pavarësisht një ndikimi të mundshëm të reshjeve të shiut, ai do të tentojë përsëri të triumfojë duke parë distancat e mëdha që ka me të tjerët pas tij. Por lufta e vërtetë pritet të bëhet për vendin e dytë, ku Lorenco dhe Pedroza diskutojnë më shumë se vetëm pozicionin në podium, por edhe titullin kampion, ashtu si një javë më parë.
E panjohura e madhe e garës mbetet Valentino Rosi, i cili këtë radhë ka arritur të shfrytëzojë në maksimum shpejtësinë e motorit të tij por u rendit i 8-ti. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 October 2012 11:23