Pista e Filip Ajlend do të kujtojë gjithmonë Kejsi Stoner, pasi ka vendosur t’i vërë emrin e tij kthesës së tretë të cirkuitit të famshëm të garave me motorë në Australi.
Kthesa me numër 3 në këtë pistë është ndër më të shpejtat në të gjitha pistat e MotoGP dhe ka qenë ajo që ka nxjerrë më në pah aftësitë e dy herë kampionit të botës për të kontrolluar në mënyrë të pabesueshme motorin në shpejtësi të lartë.
Për më tepër, kjo është një mënyrë për të falënderuar pilotin që fiton në këtë pistë pa ndërprerje që nga viti 2007.
Drejtuesit e pistës i kishin kërkuar Stoner të zgjidhte cilëndo pjesë të cirkuitit për të vendosur emrin e tij dhe ai zgjodhi vetëm kthesën e tretë, të cilën pilotët e përshkojnë me një shpejtësi që kalon 250 kilometra në orë.
“Kjo pjesë e pistës është padyshim kthesa ime e preferuar. Është shumë e shpejtë dhe e kaloj me marshin e pestë në maksimum. Kjo është një kthesë që më dhuron gjithmonë një emocion të jashtëzakonshëm. Është një privilegj që kjo pjesë e Filip Ajlend mban emrin tim”, tha Stoner.
Piloti australian ka treguar që në provat e lira të sotme se nuk ka dyshime mbi atë që është favoriti kryesor i fitores së kësaj gare, pasi ka dhënë një kohë të pakapshme nga pilotët e tjerë. Xhiroja e tij prej 1 minutë e 29.999 sekonda ka lënë gojëhapur të gjithë kundërshtarët, me Pedrosën në vendin e dytë që është 0.885 sekonda larg e Lorencon që është 1.006 sekonda larg në vendin e tretë. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 October 2012 10:20