Xherdan Shaqirit i kanë mjaftuar vetëm dy muaj për t’u bërë një emër i njohur për tifozerinë e Bajern Mynih. Futbollisti 20 vjeçar ka qenë protagonist në ndeshjet e para zyrtare të sezonit me golat dhe pasimet e tij, siç u pa më së miri në ndeshjen ndaj Grojter Fyrth, ku tifozeria thirri në kor emrin e tij.
“Kur isha i vogël ëndërroja të luaja në Bundesligë, për një klub të madh. Tani që arrita të zhvilloj ndeshjen time të parë në Bundesligë me Bajern, u realizua një ëndërr! Gjithmonë kam ëndërruar të jem pjesë e një klubi të madh dhe tani jam aty”, ishin fjalët e Shaqirit pas ndeshjes së tij të parë me fanellën e Bajern në kampionatin gjerman, për më tepër si titullar.
Lojtari është shfaqur menjëherë si protagonist në lojën e Bajern Mynih, pasi në dy ndeshjet e para, në Kupë dhe kampionat, ka shënuar një gol dhe ka dhënë 3 pasime për gol. “Të gjithë e kanë parë që në fazën përgatitore që arrij të merrem vesh mirë me të gjithë shokët e skuadrës. Këtë radhë ishte shumë e rëndësishme për mua që arrita të jap pasimin për golin e 2-0. Shpresoj që të vazhdoj me këto ritme”, deklaroi Shaqiri i cili tregon modesti duke thënë se e pranon stolin për kohë që është pjesë e një ekipi me synime të mëdha.
“Nuk ka rëndësi kush ulet në stol dhe kush luan nga fillimi. Gjëja më e rëndësishme është se këtë vit ne luajmë si skuadër, që të mund të jemi të suksesshëm. Edhe nëse javën e ardhshme unë do të jem në stol, nuk shqetësohem, ndonëse dëshira e çdo futbollisti është të luajë gjithmonë”, deklaroi ai për mediat gjermane. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 August 2012 13:20