Federata Holandeze e Futbollit bëri të ditur mbrëmë se Bert Van Marvijk ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si trajner i përfaqësueses holandeze. 60 vjeçari u largua nga ky post pas dështimit spektakolar të Holandës në Euro 2012, ku ekipi që cilësohej mes favoritëve, humbi të tre ndeshjet në grup.
“Me iniciativën e Bert Van Marvijk, Federata dhe trajneri vendosën që të ndërpresin kontratën mes palëve, vendim që hyn në fuqi menjëherë. Marrëveshja mes palëve ishte e vlefshme deri në vitin 2016”, ishte lajmërimi që u shfaq në faqen e internetit të Federatës Holandeze.
“Unë kam shumë dyshime, megjithatë kam vendosur ta marr këtë hap”, ishte deklarata e vetme që doli nga Van Marvijk pas mbledhjes së fundit me drejtuesit e futbollit holandez.
Një nga yjet e skuadrës holandeze, mesfushori Uesli Shnajder, ka treguar keqardhjen e tij për këtë vendim, duke mbrojtur punën e trajnerit i cili dy vite më parë i çoi në finalen e Kupës së Botës.
“Pas eliminimit nga Euro 2012 u thanë shumë gjëra, më vjen keq që vendimi është marrë kaq shpejt. Van Marvijk ka qenë gjithmonë pozitiv me këtë grup lojtarësh. Të gjithë e dimë se është e vështirë të jesh trajner i kombëtares. Këtu nuk ke të bësh vetëm me median, por edhe me 16 milion trajnerët që jetojnë në Holandë”, ishte komenti i mesfushorit. (LajmeShqip.com)
Grupi B
Holandë-Danimarkë 0-1
24’ Krohn Dehli
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Danimarkë-Portugali 2-3
41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela
Holandë-Gjermani 1-2
73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez
Portugali-Holandë 2-1
28’, 74’ K. Ronaldo / 11’ Van Der Vart
Danimarkë-Gjermani 1-2
24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender
Renditja
Gjermani 9 5-2
Portugali 6 5-4
Danimarkë 3 4-5
Holandë 0 2-5
Thursday, 28 June 2012 08:01