Mesfushori i Holandës Arjen Roben, ka deklaruar hapur se rezultatet e dobëta në Euro 2012 janë rezultat i “egove të mëdha” në dhomat e zhveshjeve të kësaj përfaqësueseje. Holandezët luajnë sot me fatin pasi jo vetëm duhet të mundin Portugalinë me dy gola, por duhet të shpresojnë në një fitore të Gjermanisë përballë Danimarkës që të vazhdojnë më tej në turne.
“Në grupin aktual është gjithçka e vështirë për ne pasi ka shumë ego të mëdha brenda tij. Pas Botërorit, ato u bënë edhe më të mëdha. Kjo e bën gjithçka më të vështirë për ne”, deklaroi ai në faqen e internetit të Federatës Holandeze.
“Nëse duam të arrijmë diçka së bashku, duhet të lëmë mënjanë egoizmin, duhet të luftojmë si skuadër dhe të rifitojmë ndjenjën e pathyeshmërisë. Ajo nuk do të vijë vetë”.
Sipas tij, lojtarët holandezë duhet të linin pas krahëve polemikat me trajnerin për vendin në formacion apo në stolin rezervave dhe të mendonin vetëm si të mundnin Portugalinë.
“Kur je jashtë formacionit të lejohet të jesh i mërzitur dhe mund të jesh i mërzitur. Kjo është normale. Me sa di unë, mund të flasësh edhe me trajnerin për këtë gjë. Por kur loja fillon, duhet të bëhesh pjesë e skuadrës. Kur ka lojtarë që nuk i bashkohen kësaj fryme grupi, gjithçka bëhet shqetësuese. Duhet të pranosh të bëhesh pjesë e grupit ose të kthehesh në shtëpi”, ishte deklarata e tij e ashpër ndaj futbollistëve si Van Der Vart dhe Huntelar që kanë sulmuar publikisht vendimet e trajnerit Bert Van Marvijk. (LajmeShqip.com)
Grupi B
Holandë-Danimarkë 0-1
24’ Krohn Dehli
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Danimarkë-Portugali 2-3
41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela
Holandë-Gjermani 1-2
73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez
Renditja
Gjermani 6 3-1
Danimarkë 3 3-3
Portugali 3 3-3
Holandë 0 1-3
17.06.2012
Portugali-Holandë 20:45
Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)
Kharkiv (Ukrainë)
Danimarkë-Gjermani 20:45
Gjyqtar: Karlos Velasko Karbajo (Spanjë)
Lviv (Ukrainë)
Sunday, 17 June 2012 15:01