Joakim Lëv ka insistuar se nuk është shqetësuar asnjëherë gjatë ndeshjes kundër Danimarkës nga kundërshtarët e tij, edhe pse gjatë një periudhe të takimit, skuadra e tij ishte vetëm një gol larg eliminimit nga Euro 2012.
Kur Portugalia po kryesonte ndaj Holandës, danezëve u duhej një gol për të fituar 2-1 dhe për të kaluar pikërisht gjermanët në renditjen e grupit. Por fatmirësisht për ekipin e Lëv, ishte mbrojtësi i tij Bender që gjeti rrugën e rrjetës duke i dhënë fund dilemave.
“Kisha një plan në mendjen time, e kisha menduar se si do të vepronim nëse Danimarka do të shënonte në ndonjë mënyrë një gol për të kaluar në avantazh. Por nuk e kisha asnjëherë këtë ndjenjë sikur ata do të gjenin rrugën e rrjetës, pasi Shvajnshtajger dhe Kedira ishin gjithmonë në kontroll të situatës. Isha i sigurt se do të shënonim ne”.
“Danimarka luajti me shumë qetësi dhe dukej sikur atyre as nuk u interesonte se si ndahej ndeshja. Nuk kisha asnjëherë ndjesinë se Danimarka po luante për të fituar. Ata deshën të ruanin rezultatin, ishin të lumtur me një barazim dhe nëse u jepej mundësia, të fitonin ndonjë goditje dënimi apo këndi. Por të them të drejtën, nuk është se sulmuan shumë. Ata thjesht qëndruan në pritje, edhe pse u duhej fitorja. Të kishim qenë kundër një skuadre tjetër si Portugalia apo Holanda, do na kishin vënë shumë më tepër në vështirësi në kushte të njëjta”.
Sipas tij, skuadra duhet të përmirësohet në krahasim me takimin kundër Danimarkës ku edhe ritmi i gjermanëve ra në përgjumje.
“Humbëm 3-4 raste dhe nuk kishim instinktin vrasës. Edhe Greqia do të bëjë të njëjtën gjë, do të mundohet të ulë ritmin si Danimarka. Ata janë të rrezikshëm në kundërsulm dhe të fortë në mbrojte, do të jetë një ndeshje e vështirë”, tha trajneri i Gjermanisë. (LajmeShqip.com)
Grupi B
Holandë-Danimarkë 0-1
24’ Krohn Dehli
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Danimarkë-Portugali 2-3
41’, 80’ Bendtner / 24’ Pepe, 36’ Postiga, 87’ Varela
Holandë-Gjermani 1-2
73’ Van Persi / 23’, 38’ Mario Gomez
Portugali-Holandë 2-1
28’, 74’ K. Ronaldo / 11’ Van Der Vart
Danimarkë-Gjermani 1-2
24’ Krohn Dehli / 19’ Podolski, 80’ Bender
Renditja
Gjermani 9 5-2
Portugali 6 5-4
Danimarkë 3 4-5
Holandë 0 2-5
Çerekfinalet
21.06.2012
R. Çeke-Portugali 20:45
22.06.2012
Gjermani-Greqi 20:45
23.06.2012
1C-2D 20:45
24.06.2012
1D-2C 20:45
Monday, 18 June 2012 13:00