UEFA ka gjobitur Federatën Ruse të Futbollit dhe i ka dhënë atyre një pezullim “të ngrirë” pikësh për kualifikueset e Euro 2016, si rrjedhojë e huliganizmit të tifozëve të saj.
Organizatorët e Euro 2012 vendosën të gjobitin këtë Federatë me 120 mijë euro ndërsa i ka dhënë edhe këtë dënim që do të hyjë në fuqi nëse ngjarjet përsëriten, si pasojë e incidenteve gjatë takimin Rusi-Republikë Çeke, 4-1, të datës 8 qershor.
Tifozët rusë u përfshinë në incidente të ndryshme gjatë takimit, mes të cilave ndezja e fishekzjarrëve dhe hapja e parullave të ndaluara.
“Bordi i Disiplinës i UEFA-s vendosi sot t’i caktojë heqjen e 6 pikëve për fazën kualifikuese të kampionatit evropian të ardhshëm të UEFA-s Federatës Ruse të Futbollit. Ky vendim është i pezulluar në një periudhë prove prej tani, deri në fillimin e fazës play-off për Euro 2016”.
“Federata e Futbollit e Rusisë u gjobit me 120 mijë euro. Ajo u dënua për sjelljen e papërshtatshme të tifozëve të saj (shqetësime të turmës), ndezjen dhe hedhjen e fishekzjarrëve dhe shpalosjen e parullave të paligjshme gjatë ndeshjes me Republikën Çeke”, thuhet në lajmërimin e UEFA-s. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 June 2012 18:26