Trajneri i Polonisë, Franciszek Smuda, më parë pranon të mbyllë një sy ndaj lojtarëve të tij nëse po kënaqen me “bunga bunga” sesa të pranojë që ata të pinë alkool.
Në ditën kur ekipi i tij do të hapë Euro 2012 përballë Greqisë, tekniku polak ka zbuluar se alkooli është armiku i tij më i madh dhe kjo ishte arsyeja e përjashtimit nga skuadra të Slavomir Pezhko, i cili në prill përfundoi në rajonin e policisë pasi kishte qenë duke pirë gjithë natën.
“Është më mirë të bësh “bunga bunga” sesa të abuzosh me alkoolin”, tregoi Smuda për gazetën ditore polake “Dziennik Gazeta Prawna”. “Bunga bunga” është termi që përdorte ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni për festat e çmendura në vilën e tij ku kanë qenë protagoniste yje të televizionit dhe prostituta. “Ajo që bëri Pezhko, duhet të jesh idiot ta bësh diçka të tillë”.
Në listën e të dënuarve të tij kanë përfunduar edhe portieri i Fiorentinës, Artur Boruc dhe mbrojtësi i Legia Varshavës, Mikal Zevlakov. “Nëse do t’u jepja lojtarëve përshtypjen se tërhiqem lehtë, se jam si një puding, atëherë gjithçka do të kishte mbaruar. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”, tregoi trajneri i Polonisë. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 June 2012 14:10