Luis Hemilton ka qenë më i shpejti në provat e lira të ditës së premte në pistën e Sepang, ndërsa dy makinat MekLaren dhe dy makinat Mercedes pushtuan katër vendet e para me kohët më të shpejta gjatë të dy seancave.
Koha e britanikut të MekLaren prej 1 minutë e 38.021 sekonda e regjistruar gjatë seancës së parë të provave rezultoi më e shpejta në pistën e Sepang. Ai ishte 0.151 sekonda më i ngadaltë në xhiron e tij më të mirë gjatë seancës së dytë, ku skuadrat u përqendruan me shumë të mbanin një hap gare, sesa të dhuronin kohë të shpejta.
Pavarësisht problemeve që shfaqën thuajse të gjitha makinat me gomat, gjatë provave të lira u pa qartë që motori Mercedes është superior ndaj firmave të tjera deri tani. Mikael Shumaher regjistroi kohën e dytë më të shpejtë pas Hemilton me makinën Mercedes, i ndjekur nga Xhenson Baton me makinën tjetër MekLaren, si dhe shoku i tij i skuadrës te Mercedes, Niko Rosberg.
Pjesa tjetër e pilotëve udhëhiqet nga Daniel Riçiardo i Toro Roso, ndërsa Fernando Alonso duket se ka arritur të përmirësojë disi makinën e tij duke ndryshuar pjesën e përparme, për të zënë vendin e 6-të në këto prova të lira, por me 0.719 sekonda larg vendit të parë.
Makinat Red Bull e mbyllën seancën e dytë të provave shumë larg kreut ku Mark Veber u rendit i 7-ti, ndërsa Sebastian Vetel i 10-ti, më shumë se një sekond larg kohës më të mirë të Hemilton. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 11:45