Luis Hemilton është i bindur se ka gjetur zgjidhjen problemeve që e çuan në vendin e tretë të garës së hapjes së kampionatit të Formula 1 dhe shpreson që të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit që në garën e të dielës në Malajzi.
Nëse menjëherë pas garës ai u shfaq shumë i zhgënjyer për paraqitjen, këtë radhë ka treguar se ka gjetur problemin në makinën e tij, që nuk e lejoi të nisej po aq shpejt sa shoku i tij i skuadrës, Xhenson Baton, i cli parakaloi në kthesën e parë dhe më pas fitoi Çmimin e Madh të Australisë.
“Isha i kënaqur me makinën gjatë fundjavës por jo në garë ku Xhenson ishte më i shpejtë se unë. Më pas u ula bashkë me inxhinierët dhe pamë të gjitha të dhënat. Kishte patur një problem të vogël me marshin në nisje dhe nuk ishte faji im që makina nuk reagoi aq shpejt. Të paktën gjetëm se ku duhet të përmirësohemi në të ardhmen”.
Hemilton nuk ka fituar asnjëherë në pistën e Sepang ku zhvillohet gara e të dielës, por ai është i bindur se mund të marrë një sukses të tillë edhe për faktin se MekLaren paraqitet gjithmonë mirë në pistat e shpejta si ajo e Malajzisë.
“Mendoj se shkojmë drejt garës me optimizëm pasi pista e Sepang është e shpejtë dhe makina jonë zakonisht ka shkuar shumë mirë në pistat e shpejta gjatë testimeve të dimrit. Nuk e kam fshehur asnjëherë dëshirën se dua të fitoj të paktë një garë në çdo pistë të mundshme gjatë karrierës time. Unë nuk kam fituar në Sepang asnjëherë dhe do të doja që të siguroja suksesin që më nevojitet në këtë pistë që nga gara e fundjavës”, tregoi piloti britanik. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 March 2012 11:20