Xhenson Baton shpreson që të vërë sa më shumë në vështirësi kundërshtarët e skuadrës Red Bull, ndërsa pranon se Çmimi i Madh i Malajzisë që zhvillohet të dielën, do të jetë testi i vërtetë i kandidaturës për titull të MekLaren.
Baton e filloi sezonin 2012 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Çmimin e Madh të Australisë, por kampioni i botës i vitit 2009 mendon se kushtet atmosferike më të nxehta në Malajzi do të tregojnë forcën reale të skuadrës së tij.
“Malajzia është krejtësisht ndryshe nga Australia. Atje është shumë nxehtë, ka shumë lagështirë dhe është shumë pistë e shpejtë. Na duhet ta ndryshojmë tërësisht makinën për këtë garë. Ne kemi garuar me të vetëm në kushte të freskëta të motit dhe ajo mund të ndryshojë krejtësisht në të nxehtin e Malajzisë. Shpresojmë të jemi gati për një garë të tillë”, deklaroi ai për pistën e Sepang.
Sipas Baton, suksesi më i madh i garës së Australisë nuk ishte se ai fitoi, por sepse u thye dominimi i makinave Red Bull të cilat ishin shumë më superiore se të kundërshtarëve në dy sezonet e fundit.
“Është një gjë e mirë për këtë sport që dy makinat Red Bull nuk ishin në vijën e parë të nisjes. Që nga gara e Monzës në vitin 2010 e deri këtë javë, kishte gjithmonë një Red Bull në vijën e parë të nisjes. Duket sikur gjërat kanë ndryshuar por duhet të jemi të kujdesshëm në Malajzi, pasi ata do të jenë gati për t’u kthyer dominues”, deklaroi kampioni i botës në vitin 2009. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 March 2012 10:33