Drejtuesi i skuadrës Sauber-Ferrari, Piter Sauber, ka mohuar kategorikisht çdo teori “komploti” për fitoren e Çmimit të Madh të Malajzisë në Formula 1. Skuadra zvicerane ishte vetëm 2.263 sekonda larg suksesit në këtë garë, pasi piloti i saj Serxho Perez u rendit pas fituesit Fernando Alonso në vijën e finishit të pistës së Sepang.
Shumë opinionistë të garave të Formula 1 e cilësuan me dashje gabimin që bëri skuadra duke e futur në bokse për ndërrimin e gomave një xhiro me vonesë pilotin meksikan, ndërsa dyshimet e u rritën pas një komunikimi radio, ku meksikanit iu tha specifikisht “na duhet pozicioni”, ndonëse ai ishte shumë më i shpejtë se Alonso dhe mund ta parakalonte nga momenti në moment..
Teoria e komplotit vjen nga fakti që makina Sauber ka motor Ferrari dhe vetë Perez vjen nga akademia e skuadrës italiane, arsye për të cilën atij iu dha sinjal që të mos tentonte parakalimin ndaj Alonsos.
“Komunikimi radio do të thotë se ne na duhej një rezultat. Është keqkuptim. Ia thamë një gjë të tillë pasi të gjitha skuadrat e mesme, kundërshtarët tanë, kishin marrë pikë. Ndaj ishte e rëndësishme të merrnim rezultat, pavarësisht pozicionit. Nuk i kemi thënë të qëndrojë pas Alonsos, i thamë ‘ki kujdes, na duhet një rezultat’. A ka patur bisedë me Ferrarin? Jo, absolutisht jo! Nuk kemi biseduar as për Perez, as për pozicionin”, ishin fjalët e Piter Sauber.
Perez, që në dy garat e para të sezonit ka marrë më shumë pikë sesa të gjithë sezonin e kaluar, ku debutoi në Formula 1, ndërsa skuadra Sauber ka që tani 30 pikë, 14 më pak sesa siguroi në të gjithë vitin 2011. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 March 2012 09:08