Fernando Alonso nuk pret që Çmimi i Madh i Malajzisë të jetë më i lehtë për skuadrën Ferrari dhë ka theksuar se atij do t’i duhet përsëri të garojë “në mbrojtje” dhe jo në sulm për vendet e para.
Gara e parë e sezonit në Australi ishte më e vështirë se sa mendohej për skuadrën italiane, ku si Alonso, ashtu edhe Masa nuk u kualifikuan mes 10 të parëve në provat zyrtare dhe vetëm piloti spanjoll përfundoi në zonën e pikëve në garë, duke marrë vendin e pestë.
“Në Malajzi do të garojmë përsëri në mbrojtje. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër garimi për ne duke parë se modeli F2012 është identik me atë që garoi në Australi. Duhet të përpiqemi të përshtatemi sa më shpejt, duke e ditur që nuk është e lehtë”.
“Ka dy pika ku duhet të punojmë me urgjencë: balancimin aerodinamik dhe konsumin e gomave. Për momentin thuhet se gara do të zhvillohet në shi, por unë nuk u besoj shumë parashikimeve të motit. E vetmja gjë e sigurt është se do të jetë shumë, shumë nxehtë”, deklaroi piloti spanjoll në faqen e internetit të Ferrarit rreth garës së kësaj fundjave. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 21 March 2012 12:14