Serxho Pelisier, kapiteni i Kievos, është zyrtarisht një i dyshuar për trukimin e ndeshjeve të Serisë A në sezonet e kaluara.
Emri i futbollistit është përmendur nga thuajse të gjithë të akuzuarit që janë marrë në pyetje nga Hetuesia e Kremonës ndërsa lojtari pritet që në fund të sezonit t’i përgjigjet akuzave të rënda në dëm të tij.
Sipas burimeve nga hetuesia, Pelisier ka qenë në dijeni të fakteve si dhe bashkëpunëtor për manipulimin e rezultateve të ndeshjeve të Kievos. Në materialet e bëra publike, emri i tij figuron në të paktën dy dëshmi, atë të Karlo Gervasoni dhe atë të Masimo Erodiani.
Ndërkohë, ka edhe disa përgjime telefonike në të cilat Pelisier flet për shuma parash që mund të fitojë nëse ndeshja merr një rrjedhë të caktuar.
Megjithatë për këtë futbollist hetimet do të vazhdojnë vetëm në përfundimin e kampionatit aktual të Serisë A. Sipas hetuesve, pas muajit qershor ai do të hetohet bashkë me të tjerë për mashtrim. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 February 2012 15:15