Hyrja me pasaportat e Republikës së Kosovës në territorin e Federatës Ruse është i mundur vetëm në raste të veçanta, përkatësisht vetëm për ngjarjet sportive të cilat janë nën kujdesin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të federatave ndërkombëtare sportive, ka njoftuar sot Ambasada ruse në Beograd.
Ambasada deklaroi se, ashtu sikur një numër i vendeve të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, edhe Rusia lëshon viza në një formë të veçantë në pasaportat e Kosovës.
Në fakt, vulosja e pasaportës kosovare në pikëkalimin kufitar rus nuk bëhet, shtoi ajo. Kjo procedurë korrespondon me praktikën serbe të trajtimit të dokumenteve të Kosovës, ndërsa për këtë është njoftuar edhe shteti i Serbisë, transmeton Telegrafi.
“Hyrja me pasaportat e Republikës së Kosovës në territorin e Federatës Ruse është i mundur vetëm shkaku i përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të Federatës Ruse karshi një ngjarje sportive, e cila është organizuar nga federatat sportive dhe ku është pranuar Kosova”, shkruan në njoftimin e Ambasadës së Rusisë në Serbi.
Por, ambasada e shtetit rus njoftoi se nuk ka ndryshuar qëndrimi sa i përket njohjes së Kosovës dhe pasaportës së këtij vendi, në rastet kur nuk kanë karakter sportiv.
“Për qëllime të tjera, hyrja me pasaportë të Kosovës në territorin e Rusisë nuk ka ndryshuar. Pra, me pasaportë kosovare nuk është e mundur të hyhet në shtetin federativ rus”, thuhet në fund të njoftimit të ambasadës ruse.
Friday, 31 July 2015 14:14