Trajneri i Brisbein Roar, Ange Postecoglu, ka kritikuar hapur Federatën Australiane të Futbollit për pezullimin që i ka dhënë Besart Berishës.
“Jam i zhgënjyer me mënyrën sesi rrodhën ngjarjet por tani vendimi është marrë. Apelin apo jo, është një çështje që i përket klubit dhe jo mua. Megjithatë, unë mendoj se do të ishte më mirë të mos apelonim”, tha ai.
Sipas tij, vendimi për të mos apeluar vjen edhe për faktin se federata kishte vendosur tashmë masën edhe pse kishte patur mundësinë të mos e bënte një gjë të tillë.
“Direkt pas ngjarjeve në fushë, gjyqtarët erdhën dhe më thanë se do të caktonin një karton të verdhë për Berishën. Ata kishin parë gjithçka dhe mendonin se ngjarja meritonte një karton të verdhë. Kjo është ajo që u shkrua në protokollin e ndeshjes”.
“Më pas ka ndodhur diçka që ka bërë të harrohej çfarë është shkruar në letër. Tani Besarti është dënuar më ashpër se ata që vënë baste për ndeshjet e tyre, ata që sulmojnë gjyqtarët apo trajnerët që vënë në diskutim integritetin dhe karakterin e gjyqtarëve. Ai kishte vetëm 30 sekonda gjatë të cilave la që emocionet ta përfshinin dhe bëri diçka të gabuar me të cilën ne ishim të zhgënjyer dhe për të cilën ai na kërkoi menjëherë falje. Mendoj se një këshillim do të kishte qenë më i drejtë”, deklaroi i irrituar trajneri i Brisbein. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 14:33