Besart Berisha është kthyer përsëri në liderin e Brisbein, duke udhëhequr skuadrën me të cilën është shpallur kampion një vit më parë drejt playoff të kampionatit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në fitoren 3-1 në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt, duke siguruar pjesëmarrjen mes 6 skuadrave më të mira që vazhdojnë në fazën tjetër të turneut.
Sulmuesi shqiptar shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij në minutën e 29-të të ndeshjes, ndërsa në pjesën e dytë nxori të vetëm para porte shokun e tij të skuadrës, Lustica që shënoi golin e dytë të kësaj sfide duke i dhënë qetësinë Brisbein.
Ky ishte goli i 14-të në këtë sezon për Berishën, i cili në pjesën e parë të kampionatit kishte probleme të vazhdueshme fizike dhe nuk ishte në maksimumin e tij. Por tani duket se ai është kthyer përsëri në formë, pikërisht në pjesën më vendimtare të sezonit dhe po udhëheq skuadrën me shpresën se mund të fitojë një tjetër titull kampion, të dytin radhazi në Australi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 28 March 2013 18:06