Besart Berisha ka provuar përsëri se sezoni i kaluar nuk ka qenë një rastësi dhe se ai vazhdon të jetë një nga sulmuesit më të kompletuar në Australi, pavarësisht mbërritjes në këtë kampionat të emrave si Emil Heski dhe Alesandro Del Piero.
Sulmuesi shqiptar, fituesi në fuqi i “Këpucës së Artë” në kampionatin australian, ka shënuar dy herë në takimin që Brisbein fitoi kundër Melburn Viktori me rezultatin e thellë 5-0.
Në fakt, Berisha i kishte premtuar ish-trajneri Ante Postecoglu që në fund të sezonit të kaluar u transferua te Melburn, që do të kthehej në shtëpi si humbës dhe e ka mbajtur plotësisht premtimin duke qenë një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës.
Me këto dy gola të shënuar, Berisha ka shlyer edhe gabimin e një javë më parë kur humbi disa raste në sfidën kundër Perth, një përsëritje e finales së sezonit të kaluar, por ku këtë radhë ishte ekipi kundërshtar që fitoi me rezultatin 1-0.
Tashmë pritet që sulmuesi të marrë një ftesë nga kombëtarja shqiptare e futbollit, pasi qartësisht duket se vazhdon të jetë në një formë të shkëlqyer. Edhe vetë trajneri De Biasi pranoi se po e ndiqte me vëmendje dhe shumë shpejt mund të kthente në kombëtare lojtarin që nuk vesh fanellën kuqezi prej rreth 3 vitesh. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 October 2012 13:20