Fatih Terim ka bërë të qartë se do të lërë mënjanë miqësinë që ka me Zhoze Murinjon dhe në ndeshjen e të mërkurës do të kërkojë t’i shkaktojë një hidhërim mikut të tij, për të dalë me një rezultat pozitiv nga ndeshja që Gallatasaraj luan në fushën e Real Madrid.
Trajneri turk ka deklaruar me humor se nuk ka çfarë të fshehë nga trajneri kundërshtar, ashtu si edhe portugezi nuk mund të fshehë gjë ndaj tij, pasi të gjithë e dinë se si luan Reali.
“Nuk kam çfarë të flas rreth Real Madrid”, tha ai në një intervistë të dhënë për gazetën “Marca”. “Edhe një fëmijë 6 vjeç po ta pyesësh, e di se si luan Real Madrid. Unë gjithmonë ndjek Real Madrid, është mënyra më e zgjuar për t’u përmirësuar si trajner. Nuk humbas asnjë ndeshje të tyre. Vetëm javën e kaluar kam parë 6-7 video të ndeshjeve të tyre, por nuk ekzistojnë sekrete”, deklaroi “Perandori”.
“Real Madrid dhe Barcelona janë dy skuadrat më të mira në botë dhe thuajse gjithmonë e tregojnë një gjë të tillë. Si do të luajmë ne? Ne do të luajmë në një mënyrë që do t’i bëjë njerëzit krenarë dhe fitojë respektin e të tjerëve. Unë nuk do të ndryshoj stilin tonë të lojës, ne nuk kemi frikë askënd”, ishte deklarata e guximshme e trajnerit të Gallatasarajit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 19:04