Tajger Uds është kthyer përsëri numri 1 në botë në golf, pas fitores në turneun që mban emrin e legjendarit Arnold Palmer. Amerikani ka treguar se ka lënë pas plotësisht problemet e të kaluarës dhe është shfaqur përsëri në formë mbresëlënëse duke lënë shumë pak vend për dyshim se kush është më i miri për momentin.
Uds kishte lënë vendin e parë në renditjen e botëror në tetorin e vitit 2010, pas problemeve në jetën personale dhe divorci nga gruaja e tij që e shtynë të largohej përkohësisht nga ky sport dhe të përfundonte në rehabilitim.
Por tani Uds është kthyer përsëri dhe ka treguar forcën e tij duke i rrëmbyer britanikut Rori MekIlroi vendin e parë dhe duke bërë të qartë se synon që të vazhdojë në këtë pozicion dhe të vendosë rekorde të reja në sportin e golfit.
Uds ka mbajtur vendin e parë në renditjen botërore të golfit për 281 javë radhazi, mes qershorit të vitit 2005 dhe tetorit të vitit 2010. Ndërsa kjo është java e 624-t, që do të thotë një total prej 12 vitesh, që ai ka mbajtur numrin 1 në renditje, edhe pse është vetëm 37 vjeç. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 March 2013 08:55