Mario Baloteli ka shkëlqyer në ndeshjen e tij të parë te Milani, duke shënuar 2 golat në suksesin 2-1 ndaj Udinezes, për të ngjitur kuqezinjtë në vendin e katërt në renditjen e Serisë A. Por suksesi i kuqezinjve ka ardhur mes polemikave, pasi erdhi si rrjedhojë e një penalltie të dyshimtë të akorduar në minutën e fundit shtesës të takimit.
Baloteli pritej ta niste ndeshjen nga stoli por dëmtimi i Pacinit në nxemje ka bërë që ai të ishte menjëherë titullar përkrah Niang e El Sharaui. Treshja e sulmit kuqezi bën një pjesë të parë të shkëlqyer, me aksione të njëpasnjëshme dhe raste të shumta për gol, me Balotelin që arrin të lërë menjëherë shenjën e tij me një goditje fluturimthi që përfundon pas krahëve te Padeli në minutën e 25-të. Avantazhi nuk qetëson Milanin, që provon përsëri të shënojë, por Baloteli e Niang humbin raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare.
Megjithatë, atëherë kur nuk pritet, vjen goli i barazimit të Udinezes që godet në kundërsulm me Pinzin në minutën e 55-të, duke tronditur disi kuqezinjtë. Alegri tenton gjithçka për gjithçka, duke hedhur në fushë edhe Bojan, për të luajtur me 4 sulmues, por skuadra e tij nuk arrin të konkretizojë rastet e krijuara, me Niang që i afrohet më shumë golit pasi “predha” e tij nga brenda zonës ndalet nga traversa.
Por në shtesën e ndeshjes, kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi 1-1, gjyqtari Valeri akordon një penallti shumë të dyshimtë për faull të Hurto ndaj El Sharauit. Pavarësisht protestave të Udinezes, vendimi nuk ndryshon dhe Baloteli gjuan nga pika e bardhë duke shënuar golin e fitores për skuadrën e tij të re.
Tashmë Milani e sheh veten në vendin e katërt në renditje, ku ka arritur Interin dhe është kthyer njëkohësisht në një pretendente serioze për renditjen në zonën e Ligës së Kampioneve, një objektiv që deri pak javë më parë dukej i paarritshëm. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 February 2013 22:57