Juventusi ka vazhduar dominimin në derbin e Torinos, duke mposhtur 2-0 skuadrën që mban emrin e këtij qyteti, pas një ndeshje që nuk do të kalojë pa polemika.
Shkak për të është një penallti e mohuar në minutat e fundit për Torinon, kur rezultati ishte 0-0, ndërsa pas saj, në minutat 86 dhe 92 erdhën dy golat e bardhezinjve me Vidal e Markizio. Skuadra e Kontes ka mundësinë që në takimin e javës së ardhshme ndaj Palermos të sigurojë matematikisht titullin kampion, nga i cili e ndajnë vetëm 2 pikë.
Nëse titulli kampion është çështje praktikisht e mbaruar, lufta për të siguruar vendin e tretë në renditje që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve bëhet gjithnjë e më e ethshme. Fiorentina, me fitoren 3-0 ndaj Sampdorias mbetet plotësisht në garë për të siguruar vendin e tretë, të cilin e mban tani me një diferencë prej 2 pikësh nga Milani që luan në darkë.
Në pritje të një gabimi të mundshëm nga skuadrat që janë përpara është edhe Roma, e cila është zgjuar në javët e fundit dhe sot ka mundur lehtësisht 4-0 skuadrën e Sienës. Në javët e ardhshme, verdhekuqtë luajnë pikërisht ndaj Fiorentinës e Milanit, që do të thotë se me dy fitore në sfidat direkte, mund të jenë në një pozicion shumë të favorshëm për të siguruar Ligën e Kampioneve.
Një skuadër që i ka thënë përfundimisht lamtumirë ëndrrave për turneun më të rëndësishëm evropian për klube është Interi, që sot u mund nga Palermo në një ndeshse ku zikaltërit dhanë paraqitjen zhgënjyese të radhës. Për më tepër, ka ardhur një tjetër dëmtim, ai i kapitenit Zaneti, i cili është larguar nga fusha e lojës që në minutat e para dhe pritet t’i ketë dhënë lamtumirën këtij sezoni, ashtu si shumë futbollistë të tjerë të zikaltërve në këtë edicion që ka qenë i mallkar për ta. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 34 / Rezultatet
Sampdoria-Fiorentina 0-3
36′ Kuadrado, 41′ Ljajiç, 73′ Akuilani
Kievo-Xhenoa 0-1
73′ Borrielo
Palermo-Inter 1-0
10’ Iliçiç
Torino-Juventus 0-2
86′ Vidal, 90’+2’ Markizio
Parma-Lacio 0-0
Roma-Siena 4-0
14’, 41’, 67’ Osvaldo, 16’ Lamela
Klasifikimi: Juventus 80 pikë, Napoli 69, Fiorentina 61, Milan 59, Roma 55, Udineze 54, Inter 53, Lacio 52, Katania 48, Kaljari 42, Bolonja 40, Parma 40, Atalanta 39, Kievo 39, Sampdoria 38, Torino 36, Palermo 32, Xhenoa 32, Siena 30, Peskara 22.
Sunday, 28 April 2013 17:27