Fate të kundërta për dy skuadrat e Milanos që në këtë sezon kanë nisur procesin e rinovimit të tyre. Nga njëra anë, Milani po bëhet gati të sigurojë në fundjavë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, ndërsa nga ana tjetër, Interi sheh t’i largohet edhe pjesëmarrja në Europa League, pasi tashmë është në vendin e 8-të në kampionat.
Milani ka kaluar pa shumë probleme me rezultatin 4-0 skuadrën e Peskaras, duke fituar në fushën e kësaj të fundit lehtësisht. Dy golave të të zakonshmit Baloteli i janë shtuar edhe ato të mesfushorëve Muntari e Flamini, duke bërë që kuqezinjve t’u mjaftojë një fitore në dy ndeshjet e mbetura për të siguruar përfundimisht vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Skuadra tjetër e Milanos, Interi, po bëhet gati për një tjetër vit me vuajtje, larg skenës më të rëndësishme evropiane, pasi humbja 3-1 në shtëpi ndaj Lacios ka bërë që zikaltërit të përfundojnë në vendin e 8-të në renditje dhe nëse nuk tregohen të vëmendshëm në javët e fundit, mund të kalohen edhe nga Katania. Në një situatë të tillë, tifozeria ka filluar të kontestojë rëndë klubin, duke akuzuar drejtuesit për paaftësi, siç e kanë shprehur publikisht nëpërmjet një liste të gjatë me kërkesa që kanë vendosur në formë parullash në shkallët e “San Siros”. Megjithatë, duhet theksuar se për ekipin e Stramaçionit vazhdon mallkimi i dëmtimeve, pasi në këtë ndeshje u dëmtuan Xhonatan dhe Ranokia.
Ndërkohë, vazhdon ecuria e fitoreve për Juventusin e Kontes që ka mundur Atalantan me rezultatin 1-0 dhe i afrohet më shumë rekordit të 92 pikëve në kampionat, i arritshëm nëse fitohen edhe dy sfidat e fundit të mbetura nga ky sezon. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 36 / Rezultatet
Peskara-Milan 0-4
10’ (p), 57” Baloteli, 33’ Muntari, 51’ Flamini
Atalanta-Juventus 0-1
18’ Matri
Bolonja-Napoli 0-3
53’ Hamshik, 63’ (p) Kavani, 67’ Xhemajli
Kaljari-Parma 0-1
80’ Rosi
Inter-Lacio 1-3
33’ Alvarez / 22’ (ag) Handanoviç, 45’+3’ Hernanes, 77’ Onazi
Palermo-Udineze 2-3
34’ (p) Mikoli, 81’ Hernandez / 9’ Muriel, 64’ Anxhela, 83’ Benatia
Sampdoria-Katania 1-1
35’ De Silvestri / 68′ Spoli
Siena-Fiorentina 0-1
14’ Gonzalo Rodriguez
Torino-Xhenoa 0-0
Klasifikimi: Juventus 86 pikë; Napoli 75; Milan 68; Fiorentina 64; Udineze 60, Roma 58; Lacio 58; Inter 53; Katania 52; Parma 46, Kaljari 43, Kievo; Bolonja 40; Atalanta 39; Sampdoria 39; Torino 37; Xhenoa 36; Palermo 32; Siena 30; Peskara 22. (Penalizime: Siena -6, Atalanta -2, Torino -1, Sampdoria -1).
Wednesday, 08 May 2013 23:12